Wednesday, February 13, 2013

Intervista: Perse PD do te fitoje nje mandat te trete



Lideri Berisha kërkoi nga kryesia e PD-së dhe krerët e degëve, që fushata të zhvillohet duke shkuar derë më derë tek qytetarët, edhe ata me bindje të majta, por cila do të jetë e vecanta e kësaj fushate këtë herë duke marrë parasysh se këtë model do të ndjekë edhe opozita?
Kryetari i PD, Z. Berisha, duke shpalosur këtë model të fushatës së ardhshme elektorale, nuk ka patur aspak për nxitje që të rivalizojë modelin e fushatës së opozitës, por vetëm bindjen që Partia Demokratike, si forcë qeverisëse prej 7 vitesh ka se çfarë t’u tregojë e t’u vërtetojë votuesve shqiptarë.
Ne do u trokasim në derë shqiptarëve, me tërësinë e programeve e të premtimeve të realizuar përgjatë dy periudhave historike: 20 vitet e fundit, dhe 7 vitet e fundit. Prezantimi i Partisë Demokratike tek qytetarët do të jetë shumëplanësh, por mbi të gjitha do të spikasë argumenti historik se PD është forca politike që në 20 vitet e fundit ka shënuar sukseset më të mëdha dhe ka sjellë transformimet më të thella për Shqipërinë, më shumë se cdo forcë tjetër politike në historinë e këtij vendi. Dhe së dyti, si forca që në shtatë vitet e fundit në qeverisje, prezantoi dhe realizoi reforma të cilat sollën ndryshime intensivë në ekonominë e vendit dhe rritën dukshëm cilësinë e jetesës së çdo shqiptari. Dua të them që, për t’u treguar qytetarëve shqiptarë, kur t’u trokasim në derë, se ku kanë qenë dhe ku janë sot, krahasimi nuk ka nevojë madje të bëhet me 20 vite më parë, por mund t’u ofrojmë atyre vetëm krahasimin me vitin 2005, për të treguar hapat gjigandë që të gjithë së bashku kemi bërë në këta dy mandate.
Nuk na duhet të vrasim mendjen shumë për të thënë se opozita s’do të trokasë dyerve për të shpjeguar bojkotin ciklik që i ka bërë jetës politike në këto vite, as për të shpjeguar aksionet anarkiste dhe ekstremiste të saj dhe as bllokimin qëllimkeq të procesit të integrimit në dy vitet e fundit. Këta nuk janë rekorde politikë që të sjellin mirëkuptimin e qytetarit dhe votën e tij. Sigurisht, Rama do të predikojë si profet endacak lartë e poshtë gjetjen e tij më të fundit “Rilindjen e Shqipërisë”. Historikisht kjo është qesharake, pasi Shqipëria, ashtu si çdo komb tjetër, e ka një rilindje në rrugën e tij të krijimit të identitetit kombëtar dhe krijimit të shtetit të pavarur. Kjo rilindje kombëtare filloi në mesin e shekullit 19 e përfundoi në fillimet e shekullit 20. Nga ana tjetër, është një megalomani e pafre dhe e paprecedentë, që individi Edi Rama ta konsiderojë “Rilindje të Shqipërisë”, ardhjen e tij të supozuar në pushtet.

Pse duhet t’ju votojnë edhe qytetarët me bindje të majta?
Ne do t’u drejtohemi të gjithë shqiptarëve që votojnë, sepse edhe politikat e reformat që kemi kryer kanë sjellë rezultate nga të cilët kanë përfituar pa diferencime politike të gjithë qytetarët shqiptarë. Kur themi që Shqipëria kaloi në këto vite, nga vend i varfër në vend me të ardhura të mesme e të larta, “njësia e matjes” janë xhepat e qytetarëve që votojnë si majtas, ashtu edhe djathtas, janë ata që e kanë ndier pikësëpari këtë ndryshim. Nëse flasim për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, këtë lehtësi e kanë ndier edhe ata qytetarë me bindje të majta, edhe ata që votojnë për forcën tonë politike. Janë suksese që i kanë bërë ata të ndihen njësoj dinjitozë në udhëtimet e tyre, përballë qytetarëve të vendeve të BE.
10000 kilometra rrugë të reja ofrojnë të njëjtën lehtësi të lëvizjes për çdo qytetar. Qindra shkolla të ndërtuara, rritja e pagave dhe pensioneve janë të mira që përftohen gjithashtu nga të gjithë shqiptarët. Qytetarët sigurisht që kanë zgjedhjet e tyre politike, por mbi të gjitha të mos harrojmë se ata dinë të masin dhe vlerësojnë se si përmbushen interesat e tyre nga qeveritë që ata votojnë.

Kush do të jetë pika e fortë e demokratëve me 23 qershor dhe cila më e dobët?
Pikat e forta janë disa: Ndërtim i një infrastrukture nga më modernet. Rritja e të ardhurave familjare, ulja e taksave, heqja e pengesave për bizneset. Reforma të thella që sollën zbutjen në maksimum të krizës ekonomike e cila prej disa vitesh ka pllakosur në pjesën dërrmuese të kontinentit. Reforma që e bënë Shqipërinë ndër të paktët vende që shënoi rritje ekonomike dhe ndikimin e të cilave qytetarët e kanë ndjerë drejtpërdrejtë në xhepat e tyre. Lufta ndaj korrupsionit, ku në 7 vitet e fundit futëm në arkat e shtetit mbi 9 miliardë dollarë, të cilat në kohën kur në pushtet ishin socialistët korrupsioni dhe evazioni i çonte në xhepat dhe llogaritë bankare të disa pak vetëve. Bumi turistik në vitet e fundit, gjallërimi i bujqësisë, rritja disa herë e numrit të fëmijëve dhe të rinjve që arsimohen çdo vit, pasojë pikërisht e një pjese të këtyre politikave. Këto dhe të tjera janë rezultate të drejtpërdrejtë të qeverisjes sonë në të dy mandatet.
Me sinqeritet, sado të përpiqem, megjitha tymnajën e vazhdueshme që shkaktojnë shashkat e hedhur prej podiumeve të selisë rozë dhe gjetkë, e kam të pamundur të gjejë pika të dobëta. Padyshim që ka gjëra që mund të ishim bërë më mirë, pa dyshim që kemi patur dhe do të kemi vështirësi në realizimin e objektivave që i kemi vënë vetes, por përkushtimi që kemi për realizimin e premtimeve që u bëjmë qytetarëve shqiptarë na mbush me optimizëm për cuarjen deri në fund të këtyre objektivave.

Si e shikoni ambicien e Edi Ramës për t’u bërë kryeministër i ri i vendit?
Mund të thuhet me lehtësi se ambicia e një kryetari partie (në rastin e PS, Rama) për t’u bërë Kryeministër është normale dhe e zakontë në jetën politike. Por nuk mund të ndalemi kaq lehtësisht në këtë cilësim. Pasi ka qenë ambicia (paranojake) e Ramës për t’u bërë kryetar qeverie, shkaku i vetëm i krijimit të vorbullave të njëpasnjëshme në jetën politike shqiptare pas vitit 2005, i nxitjes së situatave radikalizuese, dhe çka është më evidente, i bllokimit të procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat i BE në vitin 2012. Edi Rama ka gjasa të ketë çdo natë vegime mistike, ku “zëri hyjnor” i thotë që ajo karrike është për të dhe vetëm për të. Vetëm një njeri me një dehje të tillë mistike mund të ketë atë mungesë kujdesi dhe aftësie për të fshehur mjetet e liga e të paskrupullta që ai përzgjedh për të realizuar ëndrrën e tij. Por... gjithmonë duke zgjatur listën e disfatave politike personale.

PD-ja do të shkojë para shqiptarëve, me slloganin “NE JEMI NDRYSHIMI – PËRPARA!” por pas dy mandatesh qeverisje cfarë do t’u premtojë e djathta shqiptarëve për një mandat të tretë qeverisës?
Qytetarëve shqiptarë, në 23 qershor do ua kërkojmë votën jo vetëm duke u treguar rrugën që kemi bërë në këta 8 vite, pra duke e kthyer kokën pas në kohë, por mbi të gjitha rrugën që kemi përpara për të bërë. Duke qenë një forcë politike me burime të pashtershëm dhe plot vitalitet, ne do të shkojmë para tyre edhe me një projekt të rinovuar, me shanse të mëdha për sukses, ashtu si projektet e realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë këtyre dy mandateve. Do të jetë një projekt që do t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë, të të gjithë bindjeve, shërbimet më të mira, do t’u garantojë atyre standartet më të lartë të shërbimit shëndetësor, të shkollimit, të lëvizjes dhe të transportit. Një projekt që do të ecë në rrugën e derisotme të krijimit të lehtësirave maksimale për biznesin, shtimit të investimeve e të krijimit nëpërmjet kësaj të vendeve të reja të punës. Një projekt që do të orientojë programe të mëdhenj financimi në zonat rurale. Një projekt i cili natyrshëm do të mundësojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

A e kanë konsumuar PD-në 8 vitet në pushtet apo dy mandatet e kanë favorizuar atë që të shkojë në fushatë elektorale me arritje konkrete të cilat qytetarët mund ti vlerësojnë?
Një forcë politike mund të quhet e konsumuar politikisht kur vërtetohet një situatë “e plakjes”, “lodhjes” apo “shterimit” në ide dhe në energji. Unë, ashtu sikurse besoj edhe shumica e shqiptarëve, nuk konstatoj këtë situatë në PD sot. Partia Demokratike dhe koalicioni politik qeverisës sigurisht që e shohim si një favorizim të ligjshëm faktin që në këtë raund zgjedhor shkojmë me një bilanc shumë pozitiv të realizimeve në programet e qeverisjes 8-vjeçare. Por jo vetëm kaq. Sidomos kuraja, zhdërvjelltësia dhe urtësia me të cilën përballëm situatën e krizës ekonomike botërore në tre vitet e fundit, dëshmojnë edhe për energjinë, forcën dhe motivimin e lartë politik të PD.

Shpesh herë ka patur ankesa të deputetëve por edhe aktivistëve të PD-së ndaj krerëve të grupeve të punës nëpër qarqe sidomos për emërimet duke shmangur kështu deputetët. Sipas jush a duhet të ndryshojë lista e krerëve të grupeve gjë të cilën e ka paralajmëruar edhe vet z.Berisha?
Nuk konstatoj ndonjë shqetësim të këtij lloji. Grupet e punës në qarqe dhe kryesuesit e tyre janë njerëz me një përvojë të gjatë politike dhe ata kanë vepruar me shumë përgjegjshmëri dhe seriozitet në çdo vendim-marrje të tyre. Ankimet apo shkaqet për ankime kanë qenë sporadikë dhe rastësorë, por kanë qenë normalë për atë proces intensiv të vendim-marrjes, ata janë dëgjuar dhe konsideruar dhe nuk mendoj se janë shpërfillur. Sigurisht, përbërja e grupeve të punës apo edhe e kryesuesve të tyre mund të ketë ndryshime dhe plotësime, por jo për shkak të mosfunksionimit apo dështimit në punën e tyre. Ne po hyjmë në një “betejë” elektorale dhe natyrshëm do të ketë riorganizim të “frontit të betejës” dhe të “formacioneve” të këtij fronti. Sidomos në qarqet ku “beteja” elektorale pritet të jetë më e fortë dhe më “e egër” do të ketë përforcime dhe riformatime të grupeve të punës. Dhe ky proces po zhvillohet normalisht gjatë këtyre javëve.

A është e përgatitur PD për të fituar edhe e vetme zgjedhjet e 2013?
Mbas 8 vitesh në qeverisje, PD lëviz sot në një ambient politik të testuar. Në të dy mandatet qeverisës ajo ka realizuar dhe konsoliduar koalicionet politikë më të gjerë se ndonjëherë më parë. Prandaj as ka pse të shtrohet qoftë edhe si supozim rastësor, një konkurrim i PD në zgjedhjet e qershorit 2013 pa aleatët e saj. Koalicioni është i nevojshëm për maksimizimin e votës. Nga njëri raund zgjedhor në tjetrin PD vetëm e ka fuqizuar aftësinë e saj për zgjerimin e koalicionit, por ka krijuar edhe besimin si një parti politike “luajale” dhe e ndershme në vlerësimin me respekt e pa diskriminim të partnerëve aleatë të saj.

A duhet një riformatim i së djathtës para zgjedhjeve të 23 qershorit ?
Çka është kryer tashmë nuk shtrohet më si nevojë.

Sa e përcaktuar është PD-ja për koalicionin e ri zgjedhor, dhe a do të jetë LSI sërish pjesë e kësaj aleance?
PD ka deklaruar tashmë publikisht se ajo po synon jo vetëm të sigurojë koalicionin tashmë ekzistues për zgjedhjet e ardhshme, por ta zgjerojë atë edhe më tej. LSI është padyshim partneri më i rëndësishëm në funksionimin e koalicionit qeverisës ekzistues dhe personalisht gjykoj që LSI do ta vlerësojë si avantazh politik të saj qënien në të njëjtin koalicion edhe në përballjen elektorale të qershorit.

A është e hapur PD-ja për koalicion edhe me partitë e majta dhe sipas jush cilat konkretisht. A i mirëpret të majtët në koalicionin e saj?
Me krijimin e koalicionit qeverisës të vitit 2009, PD e dëshmoi se ishte e hapur dhe e vullnetshme për aleanca edhe me parti të krahut të majtë (aleanca me LSI). Si një parti pa komplekse për qartësinë e identitetit të saj ideologjik, PD ka edhe urtësinë dhe vetësigurinë për t’u ofruar si platforma bashkëpunimi, partive të tjera, programe politikë që vendosin si objektiva strategjikë interesat madhorë kombëtarë të stadit të sotëm të zhvillimit. Partitë që zgjedhin t’i bashkohen koalicionit tonë ruajnë të gjithë lirinë për t’i mbetur “besnike” identitetit të tyre politik si forca të majta, ashtu sikurse dhe ne nuk vëmë aspak në mëdyshje përkatësinë tonë si parti e qendrës së djathtë.

Me fillimin e fushatës elektorale nisin edhe ethet e kandidimit për deputet. Sipas jush, PD-ja duhet të shkojë me një listë pothuajse të re kandidatësh për deputetë në zgjedhje apo të rikandidohen pjesa më e madhe e deputetëve aktuale?
Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve do të realizohet duke marrë pikësëpari në konsideratë vlerësimin objektiv të performancës së deputetëve tashmë në funksion, por padyshim edhe prurje të reja individësh me vokacion politik. Sidomos duke menduar që shkohet drejt mandatit të tretë qeverisës, prurje të reja cilësore në frontin parlamentar të PD i shërbejnë vetëm forcimit të forcës politike dhe besimit të elektoratit ndaj saj. Këtu dua të shtoj që, të gjithë sukseset e sipërpërmendur të këtyre dy mandateve unë nuk i konsideroj si suksese vetëm të qeverisë shqiptare, pra jo në kuptimin e ngushtë të ministrave, por janë suksese që i kemi arritur falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me deputetët e grupit parlamentar të PD ashtu sikurse dhe aleatëve.

A do të tentoje PD-ja të rikthejë në listat e saj njerëz me kontribute të PD apo do të synojë sërish prurjet e reja, ju si mendoni, kush do të jetë më rezultative?
PD ka një lidership politik të një eksperience të pasur dhe të vetësigurt, si dhe një përfaqësim elektoral të konsoliduar. Kjo do të thotë që PD nuk ka as edhe më të voglin shkak për të “humbur” as edhe njërin nga individët me kontribute të gjatë dhe të ndjeshëm politik, por për të njëjtat arsye nuk ka pse frenon prurjet e kualiteteve të reja në radhët e saj. Konsolidimi e vazhdimësia e karrierës politike të individëve me përvojë nuk bie ndesh me frymën e hapjes dhe pranimit të politikanëve të rinj. Ky proces dinamik vetëm e fuqizon PD.
Të kundërtën po shohim në kampin e PS. Papjekuria, por edhe kompleksi i pasigurisë i vetë liderit të saj duket se do të sjellë një riformatim radikal të grupit parlamentar të kësaj partie, pasi objektivi i Ramës për konsolidimin përfundimtar të pushtetit të tij si kryetar i PS do të ndikojë ndjeshëm dhe dëmshëm në vetë procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve të ardhshëm të PS në Kuvendin e Shqipërisë.

Sa e kanë dëmtuar qeverinë, akuzat për korrupsion?
Ai që është faktori më dëmtues e deformues për shoqërinë tonë dhe vetë sistemin politik e institucional të saj është vetë fenomeni i korrupsionit. Rolin kryesor në luftimin e tij e ka sistemi politik dhe akoma më drejtpërdrejtë ekzekutivi dhe drejtësia. Korrupsioni është luftuar sistematikisht në këto vite, por ai ende vazhdon të mbetet në nivele shqetësues si në administratën qendrore e vendore, ashtu edhe brenda sistemit të drejtësisë.
Ju pyesni a e dëmtojnë qeverinë akuzat për korrupsion. Do përgjigjem duke bërë disa sqarime të nevojshëm. Akuzat për korrupsion nuk janë gjithmonë e njëjta gjë me një luftë parimore ndaj vetë korrupsionit. Ashtu si i ndeshim sot në realitetin tonë, të instrumentalizuara, si prodhim i një makinerie që vjell përditë shpifje, komente e interpretime me dashje të shtrembëruara, duke patur për objektiv jo denoncimin parimor të fenomenit, por përbaltjen dhe ndotjen e kundërshtarit politik, “akuzat për korrupsion” në vend që ta luftojnë, veç e nxisin dhe i japin imunitet korrupsionit. Ato shterin besimin e publikut e të shoqërisë se korrupsioni mund të luftohet, por shterin edhe besimin e tij tek sistemi politik.
Dështak për ta mundur kundërshtarin brenda “ringut politik”, Rama del nga ringu dhe gjuan me gurë, baltë e çdo fëlliqësi që i bie në dorë. Ai ka krijuar makinën më pjellore dhe më perverse të ndërtuar ndonjëherë, që në çdo orë të ditës hedh në veshët e publikut mllef, shpifje, fyerje, provokime imorale ndaj individëve kundërshtarë. Ka rekrutuar për këtë qëllim disa individë (përgjithësisht njerëz me komplekse torturues të identitetit). Këta “lehës të liçensuar” i ke përditë në ekranet e TV, në faqe gazetash, por edhe në foltoren e parlamentit.  Këta individë i shfaqen përditë publikut shqiptar si “luftëtarë të paepur” kundër korrupsionit qeveritar. Por është e zorshme të besosh se publiku mund t’i konsiderojë si të tillë.
Nëse duam të gjykojmë dhe vlerësojmë se sa dhe si luftohet korrupsioni, duhet të shohim fenomenet dhe faktet që preken dhe maten. Në qoftë se investimet e kompanive të huaja rriten nga 100 milion në 1 miliardë dollarë në vit, kjo është prova që ambienti ynë administrativ ka më pak korrupsion e më shumë besueshmëri. Në qoftë se sot ke tre herë më pak liçensa dhe leje për biznesin se 8 vjet më parë, kjo sjell më pak mundësi për korrupsion dhe arbitrarizëm.
Në qoftë se në 8 vjet, ndonëse niveli i disa taksave ulet, arrin të fusësh në arkën e shtetit 9 miliardë dollarë më shumë se në të njëjtën periudhë para 2005, kjo tregon se janë 9 miliardë dollarë që me modelin e mëparshëm të qeverisjes do të shkonin në xhepat e një klientele të ngushtë politike e jo në përfitim të publikut.
Në qoftë se sot procedurat e prokurimeve publike kryhen vetëm nëpërmjet garave, janë tërësisht të dixhitalizuara, kjo është provë që ka më shumë transparencë e për rrjedhojë më pak korrupsion.
Ajo që është vërtetë e rëndësishme nuk është të kalkulojmë se sa dëmtohet imazhi i qeverisjes nga akuzat keqdashëse të opozitës për korrupsion, por se sa e kemi goditur dhe ngushtuar çdo ditë hapësirën për korrupsion. Qeveritë dhe morali politik i tyre maten vetëm me faktet dhe arritjet konkrete.

Z. Ruli, duke qenë se Ju keni qenë Ministër që mbulonte sektorin energjetik në vitet 2005-2009, këto ditë në disa media është komentuar “Çështja Ansar”. Çfarë dini për projektin e këtij investitori pakistanez dhe për shkaqet e mosrealizimit të tij?
Sigurisht që jam në dijeni të komenteve dhe akuzave të bëra për të ashtuquajturën “Afera Ansar”, jo vetëm në faqet e mediave megafonë të Ramës, por edhe nga goja e “skifterëve” të zellshëm të tij. Sigurisht që kam dijeni edhe për atë çfarë ka qenë “projekti” i biznesmenit Ansar për të ndërtuar një TEC dhe shkaqet e vërtetë përse nuk u realizua.
Së pari, projekt investimi, në kuptimin e plotë të fjalës “projekt”, si një tërësi dokumentash standartë, ku shprehet ideja e investimit, argumentimi ekonomik i tij etj, nuk ka patur asnjëherë. Më e shumta ka qenë një shprehje interesi e bërë me një tekst e-maili, e përsëritur me gojë në takimet që ka zhvilluar në KESH apo në zyrën e Kryeministrit. Propozimi i biznesmenit Ansar përmbante edhe disa kushtëzime, sikundër më kujtohet, kanë qenë kërkesat për ekskluzivitetin e ndërtimit të një TEC-i të vetëm në parkun energjetik të Porto Romanos dhe imponimi i një kontrate afatgjatë blerjeje të energjisë së TEC-it (PPA) nga KESH, por me çmime të variueshëm sipas luhatjes së vlerës së naftës në bursë.
Përgjatë viteve 2006-2008 kemi patur jo më pak se 70 raste të propozimeve apo shprehjeve të interesit për ndërtime termocentralesh elektrikë, me naftë apo qymyr, në Shqipëri. Mes tyre, disa kanë qenë projekte të plotë dhe seriozë dhe të bërë nga firmat më me emër të sektorit energjetik europian. Këto projekte nuk arritën të miratohen apo realizohen në ato vite për një mori shkaqesh, si problematika e sigurimit të lëndës djegëse të importit, mungesa në infrastrukturën portuale të shkarkimit e depozitimit të lëndës djegëse, paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë elektrike në rajon, por edhe probleme që lidheshin me standartet e ndotjes e ruajtjes së mjedisit. Normalisht, në këto rrethana, mjaft nga projekt-propozimet mbasi analizoheshin me seriozitet, nuk miratoheshin nga pala jonë, ose vetë investitori, duke vlerësuar këta faktorë, tërhiqej nga projekti i tij investues. Rasti i projektit të TEC të propozuar nga Ansar nuk përbën asnjë përjashtim apo diferencim nga ky proces i trajtimit të të gjithë projekt-propozimeve të asaj periudhe. Duke vlerësuar kushtëzimet që vendoste investitori ne, (pra METE dhe KESH) i kemi përcjellë zyrës së Kryeministrit mendimin tonë negativ ndaj këtij propozimi. Prandaj sot, e gjykoj sa të pavërtetë, po aq edhe absurd “ankimin” e këtij biznesmeni, por edhe akuzat që bëhen “në mbrojtje” të tij nga gazetat apo “skifterët” e Ramës. Pretendohet se projekti i tij “u vra” sepse iu kërkua të blinte një truall të paracaktuar dhe me çmim të imponuar. Kjo është absurde, sepse një biznes kurrë nuk mund të “vritet” pa u “lindur” më parë. Pra pa iu miratuar në princip si propozimi, ashtu edhe kushtet që vinte ai, si ka mundësi që ky investitor të ketë vrapuar për të blerë truallin e ndërtimit të TEC? Përgjigja refuzuese ndaj projektit, për arsye të kushteve që ai kërkonte, i është bërë menjëherë dhe pa vonesë.
Së dyti, Parku Energjetik i Porto Romanos ka një studim urbanistik të miratuar nga Qeveria dhe aty janë të përcaktuara qartë zonat dhe parcelat ku mund të ndërtohen depozita nafte apo gazi, rafineri përpunimi apo edhe TEC, dhe nuk ka asnjë mundësi që ti të negociosh apo të përzgjedhësh lirisht e kudo që të mundesh parcela trualli për ndërtimin e një TEC-i.    

Presidenti Nishani para pak ditësh në një intervistë televizive apeloi që palët politike të mësohen që të njohin rezultatin e zgjedhjeve. A është e gatshme t’a njohë PD-ja rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit cilido qoftë ai, humbëse apo fituese ?
Pa asnjë dyshim. Kjo jo vetëm është deklaruar në mënyrë të përsëritur nga Kryetari i PD, por s’ka asnjë fakt përgjatë dhjetë viteve të fundit që të dëshmojë të kundërtën.
Në shumë prononcime të miat në media kam insistuar në kritikën që i kam bërë kryetarit të PS, për faktin që tashmë ka krijuar profilin e politikanit që është i gatshëm të “djegë” gjithçka vetëm për karriken e tij politike, që është i gatshëm të mos pranojë rezultatin e votës së popullit edhe kur procesi nuk ka patur asnjë cen, duke mbajtur peng dhe marrë zvarrë një forcë të tërë. E bëri në 2007 kur vinte kushte nga më absurdet për të hyrë në zgjedhjet lokale, sepse pa t’i rrezikohej posti i tij, e bëri në 2009 kur mori ndëshkimin e radhës prej votës popullore dhe i hyri një rruge të gjatë veprimesh, protestash, emëruesi i përbashkët i të cilëve ishte ekstremizimi i situatës politike, e bëri sërish në 2011 kur populli i Tiranës vendosi me votë që ta largonte nga posti i kryetarit të Bashkisë, në një proces që përbën edhe një dëshmi të panjollosëshme të nivelit që ka arritur demokracia në Shqipëri.
Dyshimi, në lidhje me njohjen apo jo të rezultatit të zgjedhjeve, natyrshëm shkon vetëm tek lidershipi i PS. A do të heqë dorë Z. Rama nga qëndrimi i tij i përsëritur për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve sa herë që i humbet ato?! Ne s’kemi pse të sikletosemi sot për dilemat e Ramës në 23 qershor. Rezultati elektoral i 23 qershorit do të jetë transparent, realist e bindës për këdo tjetër veç tij.



Bujqësia sektori më dinamik për vitin 2012

I.                   Arritjet kryesore për vitin 2012

Gjate vitit 2012  zhvillimi i bujqësisë dhe zonave rurale në vend, ka shënuar një progres të dukshëm, me tregues të matshëm sasiorë dhe cilësorë, të cilët kanë sjellë një rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhues, të  produktivitetit, të standardeve të prodhimit, si dhe të ardhurave për familjet fermere që jetojnë në zonat rurale të vendit. Ndër arritjet kryesore për vitin 2012 mund të përmendim:

1.      Rritja  e prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Në saje të politikave nxitëse dhe mbështetëse të ndërmarra nga qeveria për zhvillimin e sektorit bujqësor në vend, megjithëse në kushtet e një dimri të ashpër që u pasua nga një thatësirë e tejzgjatur, u arrit që treguesit e prodhimit në produktet bujqësore bazë të rriten ndjeshëm. Kjo e bëri bujqësinë sektorin më dinamik për vitin 2012, me një rritje prej 4-5 % (Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, kjo rritje në dy tremujorët e parë ka qenë respektivisht 4.5 dhe 5.6 %).
Kështu, prodhimi i frutave në shkalle vendi është rritur me 8%, ku rritja më e madhe është shënuar në kulturën e ullirit, nga e cila prodhimi i ullirit për konsum dhe ai i vajit të ullirit janë dyfishuar, krahasuar me një vit më parë.
Prodhimi i perimeve është rritur me 4% ku rritja me e madhe është realizuar në perimet e serave të destinuara kryesisht për eksport. Prodhimi blegtoral në shkalle vendi në të dy treguesit baze të mishit dhe qumështit është rritur me afro 2%.
Një rritje e ndjeshme për vitin 2012 është realizuar në eksportet e prodhimeve bujqësore të cilat mbyllen me 10 % rritje në vlerë, në një kohë kur rritja në sasi e eksporteve për disa produkte si perimet, frutat, vaji i ullirit, bimët aromatike-mjekësore shkon nga 25-30 % më shumë krahasuar me vitin 2011.
Me financime të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit, në vitin 2012 sipërfaqet me pemëtore, ullishte dhe vreshta u rritën me 2800 ha (nga te cilat vetë me ullishte u shtuan 1700 ha), bimët mjekësore dhe aromatike te kultivuara me 350 ha, u financua mbarështimi i rreth 350 mijë krerë bagëtive, u mbështeten me kredi me interesa te ulta dhe interes “zero” rreth 61 operatore biznesi, si dhe përfituan  nga skemat mbështetëse në shkallë vendi rreth 8000 fermerë.

2.      Rritja e aftësisë ujitëse, kulluese dhe e mbrojtjes nga përmbytja
Nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta në ujitje, kullim dhe mbrojtje nga përmbytja, të bëra nga buxheti i shtetit dhe të cilat për vitin 2012 kapin shumën e mbi 2 miliard lekëve, u arrit që të ndërhyhet në rikonstruksionin e qindra kilometrave kanale ujitjeje dhe kulluese si dhe në disa prej objekteve më kryesore të mbrojtjes nga përmbytja në disa zona të vendit. Në sajë të këtyre ndërhyrjeve, u arrit që për vitin 2012 në shkallë vendi aftësia ujitëse të përmirësohet dukshëm në rreth 15 mije ha tokë bujqësore, ndërsa kullimi në rreth 20 mijë mije ha.

3.      Rritja e kapaciteteve të  kontrollit  dhe monitorimit për sigurinë ushqimore në vend.
Riorganizimi i këtij sektori dhe përqendrimi i strukturave të inspektimit bëri të mundur që efektiviteti i punës në sektorin e sigurisë ushqimore në vend për vitin 2012 të rritet ndjeshëm. Në vitin 2012 u matrikulluan 850 mijë krerë bagëti, duke përmbyllur kështu procesin e matrikullimit në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2012 u realizua vaksinimi masiv kundër brucelozës i të gjithë bagëtive të imëta, në një shifër 2 660 000 krerë. Në sajë të investimeve të bëra për rritjen e kapaciteteve monitoruese u bë e mundur që në vitin 2012, shtatë laboratorë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë të akreditohen dhe të njihen ndërkombëtarisht.
Në tremujorin e fundit të 2012, zbatimi i Aktit Normativ për ndalimin e therjeve jashtë kushteve higjeno-sanitare, përmes inspektimeve të AKU, bëri të mundur ndalimin e therjeve jashtë standardeve.

4.      Bashkëpunimi me donatorët
Me mbështetje të donatorëve u bë e mundur që në vitin 2012  të konceptohen dhe fillojnë nga zbatimi disa projekte shumë të rëndësishme, të tilla si: Projekti IPARD-Like për mbështetjen e prodhimit bujqësor vendas, me 6.2 milion Euro grante nga Bashkimi Europian; Projekti i Bankës Botërore për Ujitjen, me 40 milion dollarë; si dhe Projekti për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural me mbështetje nga qeveria italiane, prej 10 milion Euro, projekte që fillojnë të realizohen në vitin 2013.


II.                Objektivat  kryesore për  vitin  2013.

Disa nga objektivat madhore për bujqësinë dhe zhvillimin rural të vendit për vitin 2013 janë:

1.      Ruajtja e ritmeve të rritjes së prodhimit bujqësor vendas
 Për këtë qëllim, edhe në vitin që vjen do të vazhdohet të investohet për ristrukturimin dhe modernizimin e fermave bujqësore si dhe rritjen e kapaciteteve ruajtëse dhe përpunuese për produktet bujqësore dhe blegtorale në vend. Në funksion të këtij objektivi është parashikuar që në vitin 2013 rreth 40 % e buxhetit vjetor të bujqësisë, ose 20 % më shumë se në vitin 2012, të përqendrohet në programin e zhvillimit rural, si mbështetje për prodhimin bujqësor dhe agroindustrinë.
Në kontekstin e këtij programi parashikohet që krahas skemave ekzistuese të mbështetjes të fillojmë edhe me disa skema të tjera që kanë të bëjnë me futjen e racave të zgjedhura të kafshëve, prodhimin e mishit të gjedhit nga komplekset blegtorale, si dhe kreditimin me norma të ulëta interesi për disa aktivitete që lidhen me ruajtjen dhe përpunimin e ullirit dhe bimëve aromatike dhe mjekësore në vend. Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve, pritet që në të gjithë vendin të përfitojnë rreth 15 mijë ferma bujqësore.

2.      Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore nëpërmjet mirëmenaxhimit të burimeve  ujore, rritjes së kapaciteteve ujitëse dhe kulluese, si dhe mbrojtjes së tokës bujqësore.
Në qendër të ndërhyrjeve do të mbetet rritja e kapaciteteve për mbrojtjen e tokës bujqësore nga përmbytja, si dhe rritja e aftësisë kulluese dhe ujitëse në të gjithë vendin. Një specifikë e ndërhyrjeve  për vitin 2013 do të jenë ndërhyrjet e përqendruara në disa objekte shumë të rëndësishme që fillojnë për herë të parë dhe që do të kenë një impakt shumë të madh në  rritjen e prodhimit bujqësor vendas.
Parashikohet që të përforcohen dhe rehabilitohen rreth 14 diga rezervuarësh, të përmirësohet ujitja në rreth 30 mijë ha tokë bujqësore, një pjese e të cilës për herë të parë do të ujitet me sisteme moderne ujitje, si dhe do të përmirësohen kapacitetet kulluese në rreth 20 mijë ha tokë bujqësore.

3.      Fuqizimi i kapaciteteve laboratorike
Edhe gjatë vitit 2013 është parashikuar që të investohet për rritjen e kapaciteteve të monitorimit të sëmundjeve dhe të kontrollit, në funksion të forcimit të sigurisë ushqimore në vend. Për këtë qëllim parashikohet ndërtim-rehabilitim i laboratorëve rajonalë të AKU dhe laboratorit qendror të ISUV, me fonde të përbashkëta të BE dhe qeverisë, në një shumë 7 milionë Euro. Po kështu do të ngrihet dhe laboratori i mbetjeve të produkteve bimore.

 4.      Rritja  gjithnjë e me shume e një zhvillimi të balancuar territorial, nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në zonat rurale.
Për këtë qëllim një sërë aktivitetesh të reja bujqësore do të nxiten dhe mbështeten në të gjitha rajonet e vendit, siç janë kultivimi dhe përpunimi i bimëve aromatike dhe mjekësore, prodhimi i produkteve bio, përpunimi i disa prodhimeve të dyta të pyllit, nxitja e agroturizmit, prodhimi artizanal etj. Në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit do të punohet për ngritjen dhe forcimin e bizneseve bujqësore sociale, sidomos në zonat e thella malore ku toka bujqësore është shumë e pakët.

Në 5 vjet u përmbys raporti tregtar për prodhimin e mishit



"Sot mbi 60 % e mishit të pulës është prodhim vendas, para 5 viteve konsumohej vetëm mish importi”
Në pak vite ka ndryshuar tërësisht raporti tregtar për shumë produkte dhe një ndër to është mishi i pulës. Nga mbizotërim i plotë i prodhimeve të importit, aktualisht kemi një përmbysje të situatës, ku më së shumti konsumohet mish pule i prodhuar në Shqipëri. Situatën aktuale e ka vënë në dukej dhe ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i cili vizituat një ndër pularitë më të mëdha në vend. I pranishëm në pularinë e kompanisë Agrotek, ministri Genc Ruli tha se investimet e bëra në vitet e fundit në agroindustri dhe përpunim janë treguesi më i mirë i zhvillimit të biznesit. “Duke vizituar sot objektet e investimit të firmës Agrotek, ne kemi një dëshmi të qartë të progresit që po bën industria e prodhimit dhe përpunimit të mishit në Shqipëri. Padyshim do të thoja një nga sektorët më modernë të prodhimit tonë bujqësor, qoftë për teknologjinë, që është më e kohës, qoftë dhe në avantazhin e prodhimit dhe bilancit tregtar. Vetëm për prodhimin e mishit të pulës, sot jemi në një realitet krejt tjetër nga 5-6 vjet më parë. Sot rreth 17 mijë ton të mishit të pulës, për më tepër të atij të freskët prodhohet në vend dhe rreth 11 mijë ton vijnë nga importi. Pra balanca ka ecur në favor të prodhimit vendas, rreth 60 për qind e kërkesës konsumatore plotësohet nga prodhimi vendas. Sigurisht ky realitet nuk ka qenë para 5-6 viteve, ku pjesa më e madhe e prodhimit të pulës vinte nga im porti”, -tha ministri Genc Ruli
Duke ju përshtatur kërkesës së konsumatorëve, kompania Agrotek ka realizuar një cikël të mbyllur në prodhimin e mishit të pulës. Kështu, kjo kompani prodhon ushqimin për pulat dhe kafshët, rrit shpendët si dhe i ther ato në një thertore moderne, duke siguruar kështu mish të freskët për konsumatorët. Ministri i Bujqësisë premtoi mbështetje për këtë sektor dhe tha se në një kohë të shkurtër në treg do të kemi vetëm prodhim vendas, si dhe do të realizohet eksport i mishit “Made in Albania”,  “Unë do të vlerësojë zgjuarsinë e investitorit vendas për të kaluar drejt ciklit të plotë dhe të mbyllur. Agrotek ka realizuar një koncept mjaft të mirë të kësaj, duke nisur që nga  prodhimi i ushqimit për kafshë dhe shpend, te bateria e prodhimit të pulës për mish e deri te thertorja, një nga më modernet që kemi në Shqipëri për therjen e pulës. Vetë shifrat dhe kapacitetet e këtij investimi flasin dukshëm për ndërhyrjen që është bërë në këtë drejtim. Në këtë bateri ku jemi mbarështohen rreth 500 mijë pula në vit, ose rreth 1 mijë ton në vit. Pularia është moderne dhe me kapacitet rreth 1 mijë e 500 pula në orë. Ne presim që ky koncept investimesh, i ciklit të plotë dhe të mbyllur të gjejë shtrirje dhe të aplikohet dhe nga investitorë të tjerë. Sot ne kemi në marketet dhe supermarketet tona, prodhimi i mishit të pulës vendase është prezent, duke zëvendësua ndjeshëm prodhimet e importit. Shumë shpejt me çeljen e baterive të tjera të prodhimit të mishit të pulës, jemi të bindur që mund të kthehemi të vetëmjaftueshëm në këtë prodhim dhe në një kohë jo të largët mund të jemi dhe eksportues të mishit të pulës”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ndërkohë, menaxherët e kompanisë Agrotek thanë se pulat e markës Tik Tik do të eksportohen shumë shpejt. “Ne do të eksportojmë shumë shpejt. Kompania jonë sapo ka nisur marrëdhëniet tregtare me kompani kosovare.  Një nga vendet e para ku do të eksportojmë do të jetë Kosova. Kemi çuar disa kampionë, modele, mostra, lista të çmimeve dhe jemi drejt mbylljes së kontratës me një kompani kosovare”, – Mirush Bejko, menaxher i pularisë Tik Tik.
Thertorja
Në periferi të Tiranës është ndërtuar një prej thertoreve më moderne të shpezëve. Me një investim prej 1.6 milionë euro u hap thertorja me një kapaciteti prej 1 mijë e 500 krerë në orë. Aktualisht aty theren rreth 3 mijë – 3 mijë e 500 pula në ditë. Teknologjia është moderne e prodhuar në Danimarkë dhe në këtë investim janë rreth 32 të punësuar. Ambalazhimi dhe ruajtja janë teknologji gjermane e mishit të freskët, duke e dërguar prodhimin direkt në shitje. Ferma ka kapacitet 120 mijë pula në cikël, ose rreth 720 mijë pula në vit.

Tuesday, February 12, 2013

“Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”


Se pari dëshiroj që në emër të Ministrisë se Bujqësisë  Ushqimit dhe Mbrojtjes se Konsumatorit, të falënderoj  Bashkimin Evropian për  mbështetjen   dhe ndihmën e madhe që i ka dhënë  gjatë këtyre 20  viteve, sektorit  bujqësor në Shqipëri.
Kjo mbështetje  ka filluar me programin PHARE i cili ka qenë mjaft i suksesshëm në impaktin e tije në bujqësi,  ka vazhduar me Programin CARDS  dhe tani vazhdon të jetë efektive me Instrumentin e para anëtarësimit ose siç  quhet ndryshe IPA.
Pikërisht në kontekstin e këtij programi mbështetje IPA,   në shpallim sot fillimin e njërit prej projekteve me të rëndësishëm IPA-2011 “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Shqipëri”, një projekt i cili   do të jetë kontribut i përbashkët i BE dhe qeverise shqiptare për zhvillimin  e  bujqësisë dhe agroperpunimit  në vend.
Ky projekt që shpallim sot do  të mbështesë në forme granti  bujqësinë dhe zhvillimin rural me  8.2 Milion Euro nga të cilat  6.2 milion do të jenë  kontribut i BE  dhe 2 milion kontribut i qeverise shqiptare.
Objektivat e  kryesore  të këtij projekti  do të jene:
  • Të kontribuojë në rritjen e konkurueshmërisë të   prodhimit  bujqësor dhe industrisë ushqimore shqiptare,  nëpërmjet  ristrukturimit  dhe modernizimit të sektorit;
  • Të kontribuojnë në përgatitjen e sektorit bujqësor dhe industrisë ushqimore shqiptare për aderimin e saj në Bashkimin Evropian duke mbështetur përafrimin me standardet e komunitetit;
  • Të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve të strukturave përgjegjëse shqiptare për implementimin e programit IPARD në të ardhmen.
Të nderuar të pranishëm
 Zhvillimet e  sektorit bujqësor sot  janë të dukshme, të matshme e progresive. Ferma shqiptare po fiton gjithnjë e me teper natyre komerciale. Ajo po specializohet duke ndryshuar në strukture e në mënyrën e prodhimit e tregtimit.
Instrumente financiare si ato  të subvencionimit të drejtë për drejtë të fermës , lehtësimit të kreditimit të tij,  janë përdorur prej 5 vitesh për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella, prodhimin me cilësor blegtoral, shtimin e fondit të gjethit, të leshtave e të imtave të matrikulluara, konvertimin në bujqësi organike e agropërpunim.
Kemi një bujqësi sot me rreth 15 mije ha vreshta, 9 mijë ha rrënjë të mbjella vitet e fundit,  900 ha serra, mbi 1300 ferma me  mbi 10 krere lope, kemi   2300 ferma me bagëti imta  me nga 100-200-1000  krerë. Të gjitha këto investime kanë bërë që sot industria ushqimore dhe prodhimi vendas të mbulojnë minimalisht mbi 85 % të nevojës konsumatore.
Programet tona madhore si ai i ullirit, i pemëve frutore, i zhvillimit të sektorit blegtoral,  industria e qumështit, miellit, vreshtat etj, kanë hyre tashme në  fazën intensive të zhvillimit të tyre dhe impakti   në tregun vendas po behet çdo vit e me i ndjeshëm.
Eksportet tona të bujqesise, blegtorisë e të agroindustrise të 2-3 viteve të fundit, kanë patur një rritje  të konsiderueshme   që sipas viteve ka variuar  nga  23 – 25%  gjatë  2009-2010 dhe  me 27% për 2011.  Edhe për  vitin 2012 parashikohet që këto eksporte të mbyllen me një bilanc mjaft pozitiv
Tendenca e rritjes se vazhdueshme të eksporteve të një grupi produktesh dhe fitimi i tregjeve të reja, krahas konsolidimit të atyre tradicionale, do të thotë specializim, do të thotë rritje në konkurueshmerinë e këtyre produkteve. Sektorin jo vetëm që nuk e ka prekur frenimi i krizës, por ka pasur rritje   e cila  edhe  ketë vit është përsëri pozitive  me jo me pak se  3% , duke  ruajtur ritmet e rritjes se  sektorit  në tre vitet e fundit.
Kalimi nga  prodhimi i zakonshëm,  në prodhimi me standarde të larta,  ose nga produktet e ofruara tradicionalisht në treg në produkte të konkurueshme në cilësi,  është sfida e madhe e bujqësisë shqiptare sot dhe në të ardhmen.
Në ketë kontekst, ndihma e pazëvendësueshme e BE dhe ky projekt grant  i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare  do  t`i shërbejnë  pikërisht  ngritjes se  me  tejshme  të standardeve të prodhimit dhe do të çojë në rritje të konkurueshmerise se produkteve vendase.
Investimet e mëdha të bëra nga buxheti i shtetit në zonat rurale, fondet e dhëna nga IPA, në rreth 35 milionë euro dhe të tjerat që do pasojnë do të krijojnë e konsolidojnë kushtet që ekonomia jonë bujqësore t`i afrohet edhe me shume tregjeve evropianë e atyre ndërkombëtare në përgjithësi. Pritet që vlera e shtuar në ketë ekonomi të rritet ndërkohë që prodhimtaria të ketë kulmet e saj.
Krijimi i strukturave operative të IPARD me ndihmen e BE,  ka bere të mundur që keto struktura të fillojnë  manaxhojnë me efektivitet  fonde të BE dhe ky projekt do ta konsolidoje rolin   dhe  pozicionin e tyre në të ardhmen .
Në hartimin e masave të këtij programi me grantë kemi studiuar se cfare, si, ku dhe pse të nderhyjme. Keto masa percaktojnë tipet e investimeve që janë të pranueshme, kriteret per aplikuesit dhe per investimet, madhesinë e investimeve etj.
Bazuar në prioritetet e politikave tona bujqesore janë zhvilluar studime sektoriale per prodhimin e perpunimin e qumeshtit, mishit, perimeve dhe frutave. Konsultime me strukturat e ministrise, shoqatat e prodhuesve, partnere të tjere sociale dhe ekonomike janë zhvilluar se bashku me nje proces konsultimi intensiv me delegacionin e BE, Tirane.
Në dispozicion të aplikuesve do të jenë mediat kombetare, televizionë lokale, shtypi i shkruar, etj.  Zyrat e Drejtorive  Rajonale të Bujqes në qarqë do të jenë  teresisht në sherbim të fermerve  dhe sipermarresve që do të kerkojnë të sqarohen dhe  asistohen në procesin e aplikimeve.
Pritshmeria  jonë nga projektet është shume e madhe jo vetem në aspektin e ndihmes se drejtperdrejtë  që do të jape per fermeret dhe biznesin bujqesor, por edhe per forcimin e kapaciteteve tona administrative per menaxhimin eficent  të fondeve të buxhetit të shtetit por edhe atyre që vijnë nga donator të ndryshem.
Në perfundim shpreh bindjen se fermeret,  grupet e fermerve dhe  operatoret e biznesit    që do të perfshihen në ketë projekt, do të perfitojnë ndjeshem jo vetem me rritjen e drejtperdrejtë të prodhimit dhe standarteve,  por mbi të gjitha do marrin  modelin që duhet të ndiqet në të ardhmen  në kuadrin e perpjekjeve tona të perbashketa per integrimin e   tregut bujqesor vendas në atë të Bashkimit Evropian.
Faleminderit



Në 5 vjet, 350 hektarë të reja me mandarina në Sarandë



Ministri i Bujqësisë konfirmon dhënien e subvencioneve për ujitjen me pika dhe infrastrukturën e grumbullimit
Ruli: Në 5 vjet, 350 hektarë të reja me mandarina në Sarandë
Ministri Genc Ruli ishte i ftuari kryesor në Festivalin e Mandarinës në Xarrë
Rreth 350 hektarë të reja me mandarina janë mbjellë vetëm në Rrethin e Sarandës gjatë pesë viteve të fundit. Shifra është bërë me dije nga Ministri i Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, i cili në “Festivalin e Mandarinës” tha se këto mbjellje janë realizuar  nga mbështetja me subvencione shtetërore. Gjatë takimeve që pati me fermerët e Komunës Xarrë, ministri Genc Ruli përgëzoi punën e bërë si dhe siguroi mbështetje të mëtejshme për të gjithë fermerët që do të angazhohen në mbjelljen e agrumeve. Së bashku me drejtorin e USAID, ministri Genc Ruli vlerësoi lart krijimin e kooperativës në Xarrë të Sarandës, pasi ky është një shembull i mirë ku tregohet se bashkëpunimi ka sjellë rritje të prodhimit, të të ardhurave dhe pjesëmarrjes se këtyre fermerëve në tregjet vendase e rajonale. “Është një kënaqësi që jam sot në tokën e agrumeve, në tokën ku begatia krijohet nga mençuria juaj dhe nga aftësia juaj për punë. Nuk duhet të shkojmë larg në kohë për të kuptuar se çfarë keni arritur të bëni. Boll të kujtojmë se në vitin 2005 ishin 130  hektarë agrume, ndërsa sot jeni prodhuesit më i madh i këtyre kulturave të vyera dhe keni arritur një prodhim prej gati 7-8 mijë ton, keni trefishuar eksportet dhe padyshim keni shumëfishuar të ardhurat tuaja. Unë i gëzohem faktin që këtu kemi jo vetëm një zgjerim të plantacioneve, por kemi padyshim të aplikuar bujqësinë më moderne. Boll të shohim rendimentin që keni arritur prej rreth 1.5 kuintal prodhim për bimë që kanë hyrë në prodhim të plotë dhe kjo është një mrekulli që disa vite më parë askush nuk do ta besonte”, – tha ministri Genc Ruli. Nëpërmjet USAID me “Projektin e Konkurueshmërisë”, në Xarrë është bërë i mundur krijimi i një kooperative, ku të gjithë fermerët kultivojnë, grumbullojnë dhe shesin mandarina dhe agrume të tjera. Mbjelljet e reja janë subvencionuar nga fonde shtetërore, dhe ministri ka ftuar fermerët që të aplikojnë për të marrë mbështetje financiare për projekte të tjera që mund të jenë ujitja me pika dhe infrastruktura e grumbullimit të prodhimeve. “Risia juaj si një fermë pilot është në urtësinë që keni pasur për të bërë dy zgjedhje të mëdha strategjike. Së pari ju keni ditur të aplikoni mes jush kooperimin, që ju ka mundësuar të ulni kostot, të kapni më kollaj tregjet, të përballoni më mirë tregtimin dhe eksportin e prodhimit tuaj. Së dyti ka qenë mençuria për tu specializuar në ato kultura, kryesisht mandarina dhe agrume, pasi kjo zonë ka avantazhet të natyrshme klimatike dhe pedologjike dhe padyshim zgjuarsia është çelësi i suksesit, ndjehem krenar që jam pjesë e një qeverie që ka ditur të mbështesë dhe shoqërojë këtë zhvillim. Po të mendojmë që në këto pesë vjet, vetëm mbjellje të reja të agrumeve në Rrethin e Sarandës janë rreth 350 hektarë, të financuara nëpërmjet subvencioneve të shtetit. Vetëm në Komunën Xarrë janë rreth 190 hektarë të financuara nga subvencionet e shtetit, apo janë rreth 250 hektarë të financuara për teknologjinë dhe ujitjen. Ajo çka ka bërë revolucion në zhvillimin e kësaj zone është infrastruktura rrugore. Në gjithë këtë zonë me rrugë të amortizuara tërësisht, ku mund të hyje më kollaj nga kodra me gomar, sot ka rreth 100 kilometra rrugë të asfaltuara dhe të standardeve më të mira. Unë do thoja që ju nuk jeni borxhlinj ndaj qeverisë, madje qeveria gjithmonë e më shumë do t’u mbështesë. I nderuar kryetar dhe të nderuar banorë, ju keni zbuluar sekretin magjik, që është sa ma shumë të punoni ju aq më shumë ju mbështesim ne”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. I gjithë prodhimi i Xarrës mund të jetë akoma më i suksesshëm në treg, nëse seleksionohet, duke ju përshtatur kërkesave të konsumatorëve dhe tregtarëve të agrumeve dhe për këtë qëllim qeveria do të mbështesë me kredi pa interes. “Ju po ngrini një qendër moderne të grumbullimit të produktit, por asaj qendre i mungon një linjë, që është ajo e seleksionimit të frutave për t`i ndarë ato sipas kategorive. Unë ju ftoj që ju në janar të bëni aplikimin për të përfituar nga fondet shtetërore të kreditimit 7 vjeçar me kreditim me 0 interes. Të nderuar banorë, meqenëse jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë, po ju them që në këto 100 vjet kjo është qeveria që ka bërë më shumë për këtë zonë”, – tha ministri Ruli.
Projekti i Ujitjes
Ministri ka bërë me dije se vitin e ardhshëm do të nisë zbatimi i një projekti madhor kombëtar që synon ujitjen e sipërfaqeve problematike. Me anë të mbështetjes financiare nga donatorët do të arrihet që teknologjia moderne e ujitjes të ndihmojë të gjithë fermerët, sidomos ata të zonës së Sarandës, “Meqenë se jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë, do ju përmend dhe dy premtime të qeverisë për vitin e ardhshëm. Padyshim, ai që do sjellë mbështetje të fuqishme për prodhimet e kësaj zonë është projekti i madh i ujitjes, që qeveria shqiptare e ka programuar nëpërmjet kredive që do të marrë nga Banka Botërore. Janë rreth 1.5 milion dollarë dhe vitin që vjen do të nisin punimet për të shtrirë rrjetin e ujitjes në zonën e Vrinës. Unë ju premtoj se vitin që vjen, çdo hektar i ri i mbjellë, apo dhe shtrirjen e rrjetit të ujitjes me pika do të subvencionohet nga skemat tona”, – tha ministri Genc Ruli

Do financohet ngritja e thertoreve moderne


Vitin e ardhshëm qeveria do të aplikojë skema dhe dot japë financime për ngritjen e thertoreve moderne, që do të rrisin dhe realizojnë standardet e sigurisë ushqimore. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i shoqëruar nga drejtues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka vizituar një prej thertoreve më të mëdha dhe moderne në vend. E vendosur në Arbanë të Tiranës, thertorja e ngritur nga një sipërmarrje private ka kapacitet prej 150 krerë në ditë, dhe mbi të gjitha ruan cilësinë dhe sigurinë për konsumatorët. Gjatë vizitës, duke biseduar me drejtuesit e kësaj thertoreje, ministri Genc Ruli tha se duke nisur që nga janari do të aplikohen skema me mbështetje financiare nga Bashkimi Europian, me anë të të cilave do të zgjerohet rrjeti i thertoreve moderne. “Është mjaft pozitive të shohësh këtë iniciativë të biznesit privat, në ngritjen e thertoreve. Vetëm në Rrethin e Tiranës kemi 6 thertore të licencuara, që do i quaja të standardeve më të larta të sigurisë. Sikurse shohim këtu, është një nga thertoret me moderne në vend. Sigurisht që ngritja e thertoreve është bërë një element i domosdoshëm në zinxhirin e sigurisë ushqimore. Shteti vetë ka pasur skema të mbështetjes për ngritjen e thertoreve, por më së shumti janë financime të bëra nga privati. Edhe në  programet e ardhshme, sidomos programet që mbështeten me fondet e Bashkimit Europian ne do të mbështesim modernizimin e thertoreve ekzistuese dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre”,- tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Suksesi i plotë në këtë zinxhir të ushqimit, që nga therja e deri në konsum varet nga therja e kafshëve, dhe ky hendek po zvogëlohet dita ditës. Ministri Genc Ruli tha se në asnjë moment nuk do të mungojë mbështetja dhe bashkëpunimi i qeverisë me sipërmarrësit që duan të investojnë në këtë sektor. Ministri tha se këto mënyra bashkëpunimi duhet të aplikohen dhe nga bashkitë e komunat, të cilat përfitojnë ekonomikisht por dhe rrisin mirëqenien e sigurinë ushqimore  për komunitetin e tyre. “Element i domosdoshëm që thertorja të funksionojë si një biznes privat por dhe si një shërbim privat është disiplinimi i therjeve. Gjithë aksioni i ndërmarrë në kuadër të Aktit Normativ për të ndaluar therjet në ambiente të papërshtatshme, në ambiente publike, që më së pari kanë të bëjnë me komprometimin e sigurisë ushqimore, do të thotë që therja e çdo kafshe qoftë dhe atyre për konsum personal do të bëhet në thertore të licencuara. Sigurisht, duke qenë që është një element i shërbimit publik, therja dhe kontrolli i cilësisë ushqimore të mishit, detyron një partnership mes shtetit me privatin. Qoftë dhe pushteti vendor ka kompetenca konkrete në fushën e shërbimit veterinar dhe më konkretisht në disiplinimin e therjeve. Jo thjesht me prezencën e veterinerit, i cili certifikon çdo mish të therur, pro do mendoja që është në dobi të vetë komuniteti që pushteti vendor të mendojë si formë më të përshtatshme, për të nxitur ngritjen e thertoreve dhe një lloj partneriteti publik- privat. Ku investitori merr përsipër investimin për linjën teknologjike dhe pushteti vendor mund të ofrojë truallin apo lehtësi të tjera. Në këtë mënyrë jo vetëm do të disiplinohen therjet, por pushteti vendor mund të disiplinojë dhe tarifat që therjen dhe të ketë kontroll të vazhdueshëm mbi të gjithë elementët e standardeve higjienike që duhen respektuar”, – tha ministri Genc Ruli.
Investimi për ngritjen e kësaj thertoreje moderne ka nisur në vitin 2009, ndërsa therja e kafshëve ka nisur në maj të vitit 2011. Ky investim ka vlerën e rreth 900 mijë eurove. Kapacitet i thertores është 10-12 gjedhë në orë, ose rreth 150 krerë në ditë. Investimi total cilësohet si një nga më modernët  dhe linjat e paisjet janë italiane të teknologjive më të fundit. Vetë investitori shpjegon se therja e kafshëve në thertore të licencuara është një proces mëse i nevojshëm. “Siç e tha dhe ministri, thertorja ka vlerën për të ruajtur cilësinë e produktit. Që kur vjen kafsha, ku duhet të rrijë disa orë për tu qetësuar e deri të procesi i therjes dhe ruajtja e mishit në ambiente frigoriferike, që garantojnë cilësinë produktit. Kapaciteti i kësaj thertoreje është deri në 150 krerë në ditë. Është kusht që thertorja të ketë drejtuesin teknik veteriner, ne e kemi. Por ndërkohë dhe veterineri zyrtar vjen çdo ditë për të certifikuar çdo therje”, – tha Artan Koçi, administrator i thertores Sofralb.
Akti Normativ
Në fillim të muajit shtator nisi zbatimi i Aktit Normativ “për disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit të tyre”. Deri më tani janë më shumë se 1 mijë e 400 subjekte që therin dhe tregtojnë mish të kontrolluara. Për pjesën më të madhe është vendosur urdhër bllokimi dhe në disa raste është kryer dhe prishja e ambienteve ku kryhej ky aktivitet i paligjshëm. ndërsa për një pjesë të subjekteve ka pasur sekuestrim dhe vendosje të gjobave si dhe janë lënë porositë për përmirësimin e kushteve. Vihet re një përmirësim i dukshëm i situatës në shumë subjekte. Kështu ka pasur licencime dhe përmirësime të kushteve të tregtimit.



Po aplikojmë skema që ndihmojnë direkt fermerin



Ministri i Bujqësisë viziton një kompleks gjedhësh me kapacitet 1 mijë e 200 krerë në vit

Ministri Ruli: Po aplikojmë skema që ndihmojnë direkt fermerin

Nga heqja e TVSH-së, nga eksperimentet që janë bërë dhe më parë në politikat fiskale, është parë që përfiton tregtari, importuesi dhe pak i ngelet fermerit dhe prodhuesit të mishit apo qumështit.


Qeveria nëpërmjet fondeve të veta dhe ndihmave nga donatorët do të mbështesë fermat e mëdha që mbarështojnë  kafshë për prodhim mishi dhe qumështi. Në vizitën e tij në një prej fermave më të mëdha të prodhimit të mishit në vend, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit tha se nuk do të mungojë mbështetja për ata fermerë dhe investitorë që do të dinë t`i përshtaten kërkesave të tregjeve. Në Fermën “Kompleksi Maçi 2003”, ministri tha se vitet e fundit po rritet gjithnjë e më shumë prodhimi i mishit në vend, duke arritur kështu zëvendësimin e mishit të importit. “Në Shqipëri kryesisht mbizotëron kultura e rritjes së gjedhit për prodhim qumështi dhe është mjaft pozitive, në aty kemi mjaft avantazhe konkurruese me vendet e tjera, por mendojmë që dhe disa ferma bazë të fuqishme të prodhimit të mishit të jenë prezente në treg. Ne nga gjedhi vendas realizojmë rreth 50 për qind të nevojës për mish dhe është një përparim i madh.  Është pozitive që po rritet numri i fermave me mbi 5-6 lopë. Ne me skemat tona synojmë që të arrijmë te numri që e bën të leverdishme fermën, me mbi 6 lopë. Madje dhe skemat e IPARD, që do të hyjnë në fuqi vitin që vjen synojnë krijimin e fermave me mbi 6 lopë. Është pozitive që është rritur rendimenti në prodhimin e qumështit, sidomos në ferma të përqendruara”, – tha ministri Genc Ruli.
Duke biseduar me administratorët dhe punëtorët e kësaj ferme që arrin të mbarështojë deri në 1200 krerë në vit, ministri Ruli tha se skemat mbështetëse që janë aplikuar deri më tani kanë qenë të studiuara dhe të kujdesshme, duke qenë efektive. Gjatë bisedës, ministri tha se nuk mund të aplikohen ndryshime radikale në sistemin fiskal, apo në skemat e mbështetjes, pasi kështu do të kishte pasoja negative për fermerët dhe ekonominë. “Ne po studiojmë dhe synojmë që në skemat e vitit që vjen të lehtësojmë prezencën në treg të këtyre fermave të përqendruara. Sigurisht forma më e thjeshtë është të thuash do të heqim TVSH-në. Por nga heqja e TVSH-së, nga eksperimentet që janë bërë dhe më parë në politikat fiskale, është parë që përfiton tregtari, importuesi dhe pak i ngelet fermerit dhe prodhuesit të mishit apo qumështit. Prandaj ne do të shohim me kujdes që çdo lehtësi, heqja e TVSH-së apo e taksave doganore të shkojë drejt për së drejti te ai që ne duam të ndihmojmë, të shkojë te fermeri, te komplekset e mëdha të qumështit dhe mishit. Unë e quaj pozitive që deri më tani nëpërmjet aplikimit të skemave të kemi një orientim të blegtorisë, drejt fermave gjithmonë e më të mëdha. Pra po kuptohet nga vetë blegtorët që leverdia është kur arrihet te fermat e mëdha”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ministri u ndal dhe të një problem që vihet re në industrinë e mishit. Sipas tij, kushtet e tregut imponojnë investime dhe teknologji të reja, por edhe këtu ai premtoi mbështetjen nga shteti.  “Probleme të mëdha kemi në përzgjedhjen racore që bëjmë, pra duhet të ndryshohet e gjithë teknologjia që është përdorur. Duhet të jemi të kujdesshëm që të krijojmë ferma të specializuara, që do të thotë që ferma që orientohet drejt prodhimit të mishit të përzgjedhin vetëm gjedhin që ka rendiment në mish dhe fermat e specializuar për prodhimin e qumështit të përzgjedhin gjedhin e duhur. Janë procese që duan kohën e tyre  për tu realizuar. Ajo që unë shoh pozitive është që me intuitën e tij, fermeri, blegtori, ai që investon në blegtori ka filluar t`i kuptojë avantazhet e tregut, të jetë koshient për analizën mes kostos dhe çmimit që del në treg. Natyrisht që politikat e shtetit në mbështetje të këtyre sektorëve prioritare brenda gjithë prodhimit bujqësor do të jenë edhe më të ndjeshme në vitet që vijnë. Jam i kënaqur që vij pas tre vjetësh dhe shoh përparimin që keni bërë. Tashme jeni një fermë që keni peshë në tregun shqiptar”, – tha ministri Ruli.
Ndërkohë administratori i “Kompleksit Maçi 2003” falënderoi për mbështetjen financiare dhënë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural si dhe për mbështetjen teknike dhënë nga Qendrat e Transferimit të Teknologjive. Sipas tij, vetëm në 3 vitet e fundit u bë e mundur ngritja e një impianti të prodhimit të ushqimit për blegtorinë, çka ka bërë që kostot për këtë biznes të ulen ndjeshëm. “Në vit qarkulloj mbi 1 mijë krerë, i marr viçat nga 150 kilogram. Është gjithçka e regjistruar, me matrikull me ushqim dhe kontrollohet kur theret kur shitet. I regjistrojmë dhe kontrollojmë gjithçka dhe me kompiuter. Deri në 1 mijë e 2002 krerë në vit i qarkulloj, mesatarja e peshës së gjallë që fusim në kompleks është 150-160 kilogram dhe ne i shesim mbi 350-400 kilogram. Kemi arritur që ta çojmë dhe 720 kilogram një viç. Falenderoj qeverinë për ndihmën e dhënë, kam marrë një kredi dhe kam përfituar skemën me subvencion 70 % të interesit. E kam përdorur këtë kredi për ndërtimin e fabrikës së ushqimit për bagëtitë. Ishte një impiant mëse i nevojshëm për mua, pasi realizoj bazën ushqimore për 1 mijë krerë viça. Para 3 vitesh nuk e kisha këtë bazë për ushqimin e viçave”, – tha Bashkim Maçi, pronar i fermës Maçi në Çermë të Lushnjës. 
Deri në fund të vitit 2011 në të gjithë vendin ishin të regjistruara rreth 922 mijë e 900 njësi të fermave me kafshë për blegtori,  prej të cilave rreth 441 mijë njësi mbarështuan gjedhë për qumësht dhe mish.