Tuesday, February 12, 2013

Akreditimi, një hap pozitiv për sigurinë ushqimore



Një prej instituteve më të rëndësishme për sigurinë e konsumatorëve dhe kafshëve ka arritur që brenda një kohe të shkurtër të marrë akreditime të rëndësishme ndërkombëtare, duke u plotësuar standardet e Bashkimit Evropian. Me investime të buxhetit të shtetit dhe donatorëve, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ka arritur që të akreditohet dhe të realizojë me sukses analiza të ndryshme. Gjatë një vizite në ISUV,  ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit tha se ky është një ndër të institucionet që ka arritur të kalojë sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian. “Padyshim është një ndryshim shumë pozitiv në pak vite. Është një investim afatgjatë i shtetit shqiptar dhe qeverisë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, që është institucioni më superior në të gjithë zinxhirin e institucioneve që garantojnë sigurinë ushqimore të konsumatorit. Sot kemi një objektiv shumë sfidues, standardet tona të sigurisë ushqimore duhet të jenë të njëjta me standardet evropiane, jo vetëm sepse përafrojmë legjislacionet dhe jemi në proces integrues, por dhe për faktin se prodhimet tona, ushqimore dhe blegtorale janë produkte që dalin në tregjet e huaja. Sigurisht është një institucion i besimit, që do të thotë është pikërisht çertifikata, vërtetimi që lëshon ky institucion që e bën të besueshme sigurinë produktit tonë dhe në tregjet e huaja, prandaj ky institucion është në vëmendje nga qeveria. Me programe të një pas njëshme  ne kemi dhënë financime të ndjeshme si për të sjellë këtu teknologjitë më moderne, por dhe për të trajnuar stafin e tij. Unë gjeta arritje mjaft të mëdha që janë bërë, sidomos akreditimi që është bërë së fundmi i gjashtë provave laboratorike të tij nga një institucion ndërkombëtar i akreditimit që do të thotë besueshmëria në cilësinë, në standardet teknologjike dhe të menaxhimit në këtë institucion është mëse e besueshme në nivel ndërkombëtar”, – tha ministri Genc Ruli.
Me mbështetjen teknike dhe financiare nga qeveria shqiptare, nga qeveria italiane dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është arritur që të modernizohet tërësisht laboratorët, sistemi kompjuterik i analizave dhe të trajnohet stafi i ISUV. “ISUV është qendër kombëtare e referencës laboratorike që është e fokusuar kryesisht në dy fusha, në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinare. Tashmë  kemi një sukses për të gjithë ne, që është akreditimi ndërkombëtar në gjashtë teste. Akreditimi ndërkombëtar presupozon që je i akredituar sipas normave të BE-së dhe në akreditim përfshihen shumë gjëra. Duke nisur që nga sistemi i menaxhimit të cilësisë i cili është i implementuar, nga trajnimi i stafit, blerja e paisjeve, reagentëve të ndryshme dhe ngritja e kapaciteteve profesionale. Ka rreth tre vite që ka nisur ky projekt për akreditimin e 6 testeve dhe brenda tre muajve të parë të vitit 2013 do të akreditojmë dhe të paktën një provë tjetër. Jemi duke punuar mjaft për ngritjen e kapaciteteve për provën e metaleve të rënda dhe pesticideve në molusqe. E gjithë puna dhe modernizimi i bërë në vitet e fundit përkthehet në më shumë siguri për konsumatorët, produkte më të shëndetshme për ta”, – tha Florian Paspali, drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. ISUV ka 99 punonjës të specializuar dhe certifikuar në analiza dhe testime të ndryshme dhe ka 31 laboratorë qendrore në Tiranë, ku kryhen dhjetëra analiza dhe teste, prej të cilave 6 kanë akreditim ndërkombëtar dhe pjesa tjetër janë në proces akreditimi.
Akreditimet ndërkombëtare
Gjatë tre viteve të fundit me një fond prej 2 milionë euro të dhënë nga Qeveria Italiane dhe zbatuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ISUV ka arritur që të ngrejë strukturën legale, të modernizojë dhe ngrejë kapacitetet shkencore dhe modernizojë tërësisht laboratorët.
ISUV është akredituar ne 6 testeve laboratorike: Salmonella spp., Escherichia coli, Paralytic Shellfish Poisoning (PSP), Diarrheic Shellfish Poisoning DSP), Amnesic Shellfish Poisoning (ASP), dhe Bio-toxins. Akreditimet janë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) të shprehura në ISO 17025:2005.

No comments:

Post a Comment