Tuesday, February 12, 2013

Rama abuzon ose nuk njeh realitetin

Në  vitin 2004, për çdo një lek që eksportonim prodhime blegtorale, ishin 35 lekë importe. Sot ky raport është 1 me 7
Deklaratat për importet dhe eksportet blegtorale vijnë ose nga një njeri i paditur në këtë fushë, ose nga një keqdashës. Këtë ka lënë të kuptojë ministri i Bujqësisë, gjatë bisedës së bërë me fermerët në zonën e Baldushkut. Duke parë nga afër fermat ku mbarështohen shpendët, kryesisht pulat e detit, ministri Genc Ruli bëri me dije dhe të dhënat më të fundit në prodhim, import dhe eksporte blegtorale. Sipas tij, deklarimet e bëra së fundmi nga kryetari i Partisë Socialiste për raport 1e 10 në eksport importe janë tërësisht të pavërteta. “Pa dyshim që blegtoria është sektori më me peshë në prodhimin bujqësor, është sektori ku kemi traditën kemi dhe avantazhet dhe fermeri mund të gjejë leverdinë. Unë do ta quaja një mosnjohje të problemit, mos të themi abuzim një deklaratë të bërë nga zoti Rama, ku thotë që importet ndaj eksporteve në produktet blegtorale janë 10 me 1. Po të mendojmë që në vitin 2004, për çdo një lek që eksportonim prodhime blegtorale, mish vezë, etj, ishin 35 lekë importe, pra ka qenë 35 herë më i lartë importi sesa eksporti. Sot ky raport është 1 me 7, pra për çdo një lek që eksportojmë në produktet blegtorale ne importojmë 7 lekë, pra është një arritje e madhe, një avancim që ka bërë blegtoria në këto vite. Kjo vjen ngaqë janë rritur eksportet, janë rritur rreth 7 herë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë importet janë rritur vetëm 1.5 herë”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Të dhënat e deri tanishme japin një trend krejt të veçantë nga vitet e shkuara. Ministri Ruli tha se për herë të parë, kemi ndryshime. “Pozitive është që prodhimi në vend po vjen në rritje dhe po të shohim dhe importin nga viti në vit ka filluar duke u ulur. Madje ky ka qenë një vit ku për herë të parë importet e produkteve blegtoralë kanë rënie”, – tha ministri Ruli.

Duke u ndalur në detajet për zonën e Baldushkut, ministri shprehur kënaqësinë që fermerët në këto vite janë orientuar drejt në investimet dhe shfrytëzimin e potencialeve bujqësore e blegtorale, çka ka bërë që ata të jenë të suksesshëm në shitje e fitime. Ne do ta quanim shumë pozitive të krijohet specializim në këtë drejtim, në fermat e shpendëve. Vetëm një fermer ka arritur të krijojë një fermë të madhe, dhe kjo i jep avantazh në konkurrencë. Nga shifrat duket se në Baldushk rritja dhe tregtimi i shpendëve është bërë një nga burimi kryesor i të ardhurave për fermerët e Baldushkut. Fakti që në Baldushk kemi   rreth 100 ferma më 100 deri në 350 shpendë, kjo është shenjë e specializimit, dhe kjo do më thënë rritje e konkurueshmërisë, pasi gjithmonë do kemi më pak importe. Ne jemi të bindur që si kjo fermë model që është ngritur me zgjuarsinë dhe përpjekjet e këtij fermeri, do ta shohim shumë më të përhapur në këtë zonë, e cila ka arritur të jetë një zonë që bazohet në tërë zinxhirin e vlerës, që nga bujqësia, blegtoria, kultura e ullirit”, – tha ministri i Bujqësisë.
Një tjetër risi në sektorin e mbarështimit të shpendëve, është fakti që vitin e ardhshëm pritet që te ketë një skemë subvencioni për këto ferma. “Padyshim, skemat e mbështetjes për rritjen e shpendëve do t`i aplikojmë në vitet e ardhshme. Në skemat tona, të cilat deri më tani për blegtorinë kanë pasur mbështetje për të imtat dhe gjedhin, shpendët do të fillojnë të marrin një prioritet. Prodhimi vendas është i njohur për cilësinë e tij. Shpendët janë pjesë e dietës së përditshme të shqiptarëve”, – tha ministri i Bujqësisë.
Suksesin në këtë lloj biznesi e kanë konfirmuar dhe vetë fermerët e zonës së Baldushkut, pasi një prej tyre thotë që vitet e fundit, për shkak të cilësisë së prodhimit dhe fitimeve ka arritur të krijojë një fermë të madhe. “Kam rreth 10 vjet që merrem më mbarështimin e pulave të detit. Kam një prodhim me rreth 200-300 krerë ne vit. Vitin e fundit në fermë kam pasur rreth 200 krerë dhe shitjet janë të suksesshme. Vjet patëm një kërkesë të lartë. Gjeli i Baldushkut është i njohur për cilësinë, pasi ambienti dhe ushqimi që i japim janë tërësisht cilësore dhe natyrale”, – tha fermeri Vilson Shima nga Baldushku

No comments:

Post a Comment