Në fillim të vitit të ardhshëm do të
aplikohet një skemë e re për subvencionimin e fermerëve që dot
mbarështojnë racat më cilësore të dhenve dhe dhive. Vetë ministri i
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së konsumatorit ka bërë me dije se
skema e re që për nga rëndësia ekonomike mund të krahasohet me atë të
arrorëve dhe ullirit do të subvencionojë fermerët që kanë racat
cilësore. Ministri Genc Ruli tha se baza shkencore, financiare dhe
teknike është tashmë gati dhe ftoi fermerët që të bëhen pjesë e kësaj
skeme që sipas tij sjell vetëm përfitime. Ministri ishte i pranishëm në
Qendrën e Teknologjive Bujqësore të Korçës, një prej qendrave që ka bërë
dhe ka në vijimësi kërkime shkencore në fushën e bujqësisë dhe
blegtorisë. “Unë do ta shfrytëzoja këtë vizitë që bëmë sot në Qendrën e
Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë. Do thoja është një
qendër unikale, e cila ka për mision kryesor kërkimin shkencor dhe
përmirësimin e racave blegtorale. E shfrytëzova këtë vizitë për të dhënë
dhe një njoftim për publikun, për fermerin, për blegtorin që qeveria
është në prag të përgatitjes së një programi të madh strategjik i cili
do të fillojë që vitin që vjen. Ky program orientohet drejt sektorit të
blegtorisë, pasi është një nga sektorët kryesorë që jep rreth 52 % të
prodhimit bujqësor”, – tha ministri Genc Ruli.
Ekspertët më të mirë të bujqësisë po
punojnë dhe brenda pak javësh pritet prezantimi i projektit. Sipas tyre
po ndërthuren cilësitë e racave të huaja në blegtori me mundësitë dhe
kushtet e vendit tonë. Për të arritur sukses të plotë në përmirësimin e
racës së deleve dhe dhive, është menduar që të subvencionohen dhe ato
tufa me numër të vogël të bagëtive. “Projekti jonë është ende në fazat
e konceptimit të tij, synon përmirësim duke futur raca të
produktiviteti më të lartë, raca më të mira nga Europa, por që është
studiuar përshtatshmëria me racat dhe me kushtet e Shqipërisë. Në fjalë
më të thjeshta skema jonë do të synojë që të kemi subvencione me bonuse,
subvencione suplementare ndaj atyre që kemi aplikuar deri më sot për
tufat e dhenve dhe dhive me mbi 100 krerë. Ne do të synojmë që
subvencionojmë dhe tufa më të vogla, por subvencion më të madh për kokë
në rast se janë të racave më të mira”, - u shpreh ministri i Bujqësisë.
Fermerët mund të bazohen dhe të mbështeten në kërkimet dhe asistencën
shkencore për tu bërë pjesë e këtij projekti dhe për të përfituar si
subvencionin ashtu dhe më shumë të ardhura nga racat e deleve dhe dhive.
“Sigurisht QTTB Korçë do të jetë bërthama kryesore, ajo do të marrë
dhe mbështetje të veçantë nga shteti për të shtuar bërthamën e saj
racore dhe do të ketë rol në mbikëqyrjen e gjithë këtij programi dhe në
mbikëqyrjen e fermave pilot që do të lançojmë këtë vit që do të marrin
përsipër të mbarështojnë dhe rrisin pikërisht këto raca. Këto ferma do
të rrisin por dhe shesin te fermerët e tjerë”, – tha ministri Genc Ruli.
Ai në bisedën me fermerët e Korçës dhe drejtuesit e QTTB-së tha se
suksesi i kjo skemë që po mendon të aplikojë qeveria që nga viti i
ardhshëm do të jetë me impakt ekonomik si te fermerët ashtu dhe në
agroindustri dhe ekonominë e Shqipërisë. “Mendoj që ky projekt nuk do të
jetë më pak i rëndësishëm se sa projektet strategjikë që janë ai i
ullirit dhe i arrorëve. Në impaktet ekonomike është mëse i krahasueshëm
me këto dy projekte”, – tha ministri Genc Ruli.
No comments:
Post a Comment