Tuesday, February 12, 2013

I tregojmë Ramës fshatin e vërtetë


 
Disa qindra hektarë tokë e varfër dhe e pashfrytëzueshme po bëhet një burim kryesor të ardhurash për fermerët e Malësisë së Madhe. Me anë të mbështetjes financiare dhe orientimit nga Ministria e Bujqësisë, qindra fermerë në zonën e Malësisë së Madhe kanë arritur të mbjellin me sukses qindra hektarë me sherebelë dhe bimë të tjera mjekësore. Gjatë një vizite që bëri në komunën Kastrat dhe fshatrat e tjerë të Malësisë së Madhe, ministri Genc Ruli ironizoi dhe kryetarin e Socialistëve, duke i bërë thirrje që të takojë fermerët e vërtetë dhe jo ish kryetarë komunash. Në Kastrat, gjatë bisedës me një fermer nis parcelën me rreth 10 hektarë sherebelë, ministri premtoi mbështetje të mëtejshme financiare për kultivuesit e bimëve mjekësore. “Unë të falënderoj për këtë punë që ke bërë, pasi është shembull i mirë për shumë fermerë, është shembull i mirë për të kuptuar që aty ku vepron mendja e mençur dhe krahu punëtor, njeriu nxjerr gjithmonë të ardhura. Faktikisht është e vërtetë që kjo është një nga tokat më të varfra në Qarkun e Shkodrës, dhe sot ka arritur të marrë një vlerë ekonomike në sajë të zgjuarsisë që keni pasur për të zgjedhur kultivimin e kësaj bime, që ju siguron të ardhura të konsiderueshme, rreth 3 mijë dollarë të ardhura neto që i ngelen fermerit. Ecuria është shumë e shpejtë në këto pak vite, regjistrohen tashme rreth 2 mijë hektarë të mbjella në këtë zonë me sherebelë dhe bimë të tjera eterovajore. Vetëm vitin 2012, që ende se kemi mbyllur janë rreth 500 hektarë të reja me sherebel, nga të cilat rreth 320 janë subvencionuar nga shteti. Duke parë këtë potencial prodhimi, këtë burim të ardhurash që ka për fermerët kjo kulturë, padyshim që është mëse e realizueshme dhe unë e premtoj si diçka të vendosur, që ne do të subvencionojmë në formën e një kredie pa interes bërjen e një stabilimenti tharës”, – tha ministri Genc Ruli.
Kjo bisedë me fermerët dhe drejtuesit lokale u bë në të njëjtën parcelë ku ishte para disa ditësh kryetari i PS-së, Edi Rama. “Besoj që është edhe e ndershme për shqiptarët, të themi që pikërisht nga kjo parcelë para disa ditësh, “rilindësi i vonuar”, zoti Rama ju tha shqiptarëve që toka prodhon varfëri, se shqiptarët s`mund të jetojnë dot me tokën e tyre, se fshati është i braktisur. Unë e pranoj që Rama mund të ngatërrojë ullirin me lisin, por nuk  mund të pranoj që Rama të paraqesë si fermer në këtë tokë një ish kryetar komune dhe të mos shohë se kush është vërtet fermeri, se çfarë pune bën fermeri dhe se çfarë thotë me gojën e tij fermeri për rezultatin e punës së tij. Është gjë pozitive që ne shohim punën që ju keni bërë, sepse natyrisht  ndihma e shteti shkon në rradhë të parë te ai që di të prodhojë. Padyshim që do ta keni dhe punishten që kërkuat, pasi ajo rrit vlerën e prodhimit dhe fitimet tuaja”, – tha ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli.
Më pas, ministri është ngjitur më në lindje të Malësisë së Madhe ku është parë nga afër puna që qindra fermerë po bënin si në vjeljen e sherebelës ashtu dhe në mbjelljen e sipërfaqeve të reja me këtë bimë mjekësore. Fermerët në zonën e Koplikut të Sipërm, Lohje dhe Marshej kanë kërkuar që veç mbështetjes për mbjelljen të ketë mbështetje dhe për dhomat e tharjes dhe impiantet e presimit dhe paketimit. “Është një gjë e madhe që qeveria shqiptare në zonën e Malësisë së Madhe të subvencionojë sherebelën. Është një punë shumë e frytshme. Kam qenë 10 vite jashtë shtetit dhe nuk kam pas mundësi të investoj më parë, tani po investoj në sherebelë. Ne kërkojmë vetëm një ndihmë, për tharjen e sherebelës, pasi kemi një prodhim të bollshëm. Jam shumë i kënaqur që qeveria shqiptare ka dhënë ndihmë, ku në një tokë që as bar nuk prodhonte, sot prodhon bimë medicinale, sepse ne patëm një orientim për ta shfrytëzuar këtë tokë që nuk prodhonte asgjë”, – tha Luc Bakaj, fermer në komunën Kastrat.
“Është bimë që kultivohet në kushte optimale, shfrytëzon tokën e varfër dhe përmirëson ekonominë e shumë fermerëve”, – tha një fermer i cili ka mbjellë rreth dy hektarë më sherebelë në Koplik të Sipërm.
Ministri tha se tanimë këto kërkesa janë mëse të drejta, pasi sasia e madhe e prodhimit detyron dhe investime për trajtimin e sherebelës. “Brenda vitit që vjen, me projektet që kemi me kreditë pa interes  do të investojmë për një kapanon tharës për të gjithë prodhimin e Malësisë së Madhe. Kjo do jetë zonë pilot, por bimët medicinale mund të kultivohen në shumë zona të Shqipërisë”, – tha ministri Ruli.
Më shumë se 26 milion lekë janë dhënë gjatë këtij vitit për të subvencionuar dhe mbështetur fermerët që kultivojnë bimë medicinave. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëjnë me dije se deri më tani janë bërë 314 aplikime me një sipërfaqe prej 376 hektarë të mbjella me bimë medicinale. Subvencioni për bimët mjekësore është 200 mijë lekë për hektarë dhe çdo fermer që aplikon mund ta përfitojë direkt këtë mbështetje financiare.

No comments:

Post a Comment