Duke marrë shkas nga disa deklarata të
bëra së fundmi nga kryetari i opozitës, ministri i Bujqësisë, Ushqimit
dhe Mbrojtjes së Konsumatorit tha se Edi Rama ka zgjedhur sektorin dhe
kohën e gabuar për të bërë opozitë. “Dje pamë një zbritje nga
kozmosi, më në fund në tokën bujqësore të zotit Rama, i cili sigurisht
zbriti në vendin e gabuar dhe me informacion të gabuar. Duke e quajtur
të braktisur sektorin e serave, duhet t`i themi Ramës që sektori i
serave është sektori me të ardhurat më të mëdha në ndërmarrjet
bujqësore. Një investim i tillë, një hektar serë i këtij niveli ka të
ardhura neto çdo vit rreth 32 mijë dollarë, pra shumë më tepër edhe se
investimet në dru frutorë, ku fitimi neto për fermerin është rreth 20-22
mijë dollarë për hektarë. Sigurisht, një gabim i dytë i zotit Rama
është që vajti ndofta në vendin e gabuar, ku dëshmoi pikërisht
politikat e gabuara dhe të pa studiuara të bëra gjatë qeverisjes
socialiste. Ai vajti në një serë me ngrohje, por nuk e di që serat me
ngrohje janë hequr gjatë dekadës së fundit nga fermerët në Evropë, edhe
se Evropa subvencionon rreth 50 miliardë euro në vit, për arsye se
jetojmë në një ekonomi globale dhe serat e Tunizisë, Marokut, Izraelit
dhe Turqisë, vende që e kanë temperaturën në dimër 20 gradë,
konkurrojnë me çdo lloj prodhimi që mund të bëhet në Evropë me këto lloj
serash. Sigurisht politika jonë ka qenë e orientuar në studime dhe
përvoja konkrete. Avantazhi që kemi ne në rritjen e perimeve dhe
bostanorëve është me sera diellore, ku ne për fatin që jemi një vend më
mesdhetar se vendet e tjerat rajonit, e kjo bën që të kemi një avantazh
prej 4 deri në 5 javë me daljen më të hershme të treg të perimeve.
Zotëria dëshmoi vetë që tregun kryesor e ka në Ballkan, duke nisur që
nga Kosova, Maqedoni e duke shkuar deri në Lituani”, – tha ministri Genc
Ruli. Në bisedën që pati me fermerët e zonës së Strumës
ministri i Bujqësisë u informua për efektshmërinë e mbështetjes
financiare që është dhënë në gjashtë apo shtatë vitet e fundit për
sektorët e ndryshëm në bujqësi dhe blegtori. Fermerët vunë në dukje dhe
abuzimet e mëdha dhe vjedhjet që u bënë me skemën e subvencionit të
naftës. “Së fundi do të thoja që një gabim i bërë nga qeveritë
socialiste ka qenë subvencionimi i çmimit të naftës, jo për shkak që i
duhet dhënë fermerit në inpute, por për shkak se ishte një subvencion që
vetëm te fermeri nuk vajti. duhet tokemi parasysh që rreth 70 për qind e
atij subvencioni të dhënë për çmimin e naftës përfundoi në xhepin e
tregtarëve të naftës dhe pikave të karburantit dhe vetë fermeri nuk
arriti të fitojë as rreth 30 për qind të atij financimi. Kjo është risia
që kemi me skemat e sotshme të subvencionit, pasi fermeri merr deri në
qindarkën e fundit vlerën e investimit për të cilën financohet nga
Agjencia e Pagesave. Deri më sot nuk kemi pasur asnjë rast ankese nga
fermerët, për arsye se subvencioni merret mbi punën e bërë konkretisht,
mbi inputet e harxhuara konkretisht nga fermeri”, – tha ministri Genc
Ruli. Duke folur për mediat, ministri i Bujqësisë ju drejtua kreut të
opozitës, duke lënë të kuptohej se është taktikë tërësisht e gabuar të
bësh opozitë në ato sektorë ku ka sukses. “Unë pres me kërshëri të kemi
një dalje tjetër të zotit Rama në fushën e Bujqësisë, pasi me siguri do
të jetë qyfyrja e radhës, ose gënjeshtra e radhës”, – tha ministri Genc
Ruli. Gjatë vizitës së tij në Fier, në zonat e Frakullës, Varibobës,
Roskovecit e Strumës, ministri siguroi mbështetje të mëtejshme me skemat
e subvencionit dhe u shpreh se investimet e bëra nga fermerët në vitet e
fundit janë për tu vlerësuar maksimalisht. “E falënderoj zotërinë, pasi
është një shembull se çfarë investitori mund të bëjë duke zgjedhur
sektorin e caktuar, duke siguruar mbështetjen e shtetit dhe sigurisht në
një fermë të tillë model mbështetja është e sigurtë. Në mbështetjen për
plastmasën e kemi në çdo tre vjet, se këtë cikël ka plastmasi, por
sigurisht do ta mbështesim dhe në çdo investim tjetër që mund të bëjë”, –
tha ministri gjatë vizitës në serën e investitorit nga Kosova.
“Sipërfaqja e serës është 7 dynym serë,
investimi e kalon 80 milion lekë të vjetra. Jam investitori i parë
kosovar që kam bërë këtë lloj investimi këtu. Është viti i parë i
prodhimit, sezonin e parë e kam pas me trangull vetëm për eksport. Tani
në sezonin e dytë kam mbjellë domate dhe speca. Subvencioni që kam
përfituar është për ndërrimin e plastmasit dhe lekët i kam përfituar
tërësisht. E falënderoj qeverinë dhe shpresoj që subvencionet do të
vazhdojnë dhe do të kemi mbështetje të tjera për punën tonë dhe prodhim
më të lartë”, -tha fermeri Saimir Isufi, shtetas kosovar nga Prishtina i
cili ka investuar në Strumë të Fierit.
No comments:
Post a Comment